Historiku

FSASH është krijuar më 26 prill 1991, si bashkim vullnetar i mësuesve, pedagogëve, shkencëtarëve dhe punonjësve të tjerë që janë të punësuar në sistemin e Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë, pa dallim përkatësie politike e partiake, bindjesh ideologjike dhe besime fetare.

Qëllimet dhe objektivat

Të përfaqësojë e mbrojë interesat ekonomike e shoqërore të punonjësve të arsimit dhe të shkencës në përgjithësi dhe të atyre që janë të anëtarësuar në FSASH posaçërisht.
Të punojë për përmirësimin e legjislacionit, veçanërisht atij që lidhet me marrëdhëniet e punës, me qëllim që t’u krijohet hapësirë lëvizjes dhe veprimtarive të pavarura sindikale në sektorin e arsimit e të shkencës, që të krijohen kushte ligjore dhe mundësi praktike reale për të mbrojtur e zhvilluar paqen, demokracinë, barazinë dhe drejtësinë sociale, që të respektohen, mbrohen e garantohen liritë dhe të drejtat themelore të njeriut.
Të organizojë e drejtojë përfshirjen aktive të mësuesve, pedagogëve e shkencëtarëve në formulimin dhe zbatimin e politikes arsimore të vendit, duke synuar krijimin dhe konsolidimin e sistemeve arsimore të hapura, të kontrolluara e të financuara nga shteti; krijimin e një shkolle që të edukojë brezin e ri me idealet e lirisë dhe demokracisë; Ta pajisë atë me kulturë të gjerë e dije të thella shkencore, që të ndihmojë shoqërinë në rrugën e zhvillimit demokratik të saj, në rrugën e progresit social e kulturor të pandërprerë.
Të mundësojë formimin e brezave me ndjenjën e atdhedashurisë e të përgjegjësisë për vendin dhe kombin.
Të punojë për ngritjen e rolit dhe të përgjegjësisë së grave në shoqëri në profesionin e mësuesit si dhe në organizatat e arsimtareve e shkencëtarëve.
Të vendosë e të zhvillojë marrëdhënie barazie e solidariteti me organizatat sindikale brenda dhe jashtë vendit.